‘Italianët do njohin muzikën shqiptare’, flasin binjaket që po çmendin Italinë

Pak javë më parë në “The Voice Italy” në skenë u paraqitën dy vajza binjake shqiptare të cilat lanë pa fjalë publikun dhe jurinë me performancën dhe interpretimin e këngës ‘Shumë pis” të Era Istrefit dhe Ledrit.

Dy motrat të cila u pranuan në The Voice dhe tashmë po përjetojnë eksperiencën e këtij kompeticioni kanë dhënë së fundmi një intervistë për ‘Gazetën Shqiptare’ ku kanë treguar se gjatë gjithë spektaklit kanë ndërmend të këndojnë shqip për një arsye të rëndësishme.

“Po, një nga objektivat tanë është ai që ta bëjmë Italinë të njohë muzikën dhe kulturën shqiptare, sepse përfaqëson origjinën tonë dhe do të ishte shumë bukur që sa më shumë persona të zbulojnë sa e mrekullueshme është.”, kanë treguar ato.

Ndër të tjera ato kanë folur dhe për familjen e tyre dhe sakrificat që ata kanë bërë që të bëhen pjesë e komunitetit italian.

“Prindërit tanë janë shqiptarë dhe janë transferuar këtu në Itali përpara se ne të lindnim. Por mundohemi të kthehemi në shtëpinë tonë në Shqipëri çdo verë, sepse na pëlqen shumë dhe jemi shumë të lidhura me tokën e origjinës. Nuk ishte e lehtë për ta të nisnin nga zero duke qenë se ishin të huaj, sidomos të bënin që të pranoheshin dhe të respektoheshin nga komuniteti. Por, avash-avash, duke punuar në mënyrë të ndershme dhe duke u njohur për atë që janë kanë fituar respektin që meritojnë dhe jetojnë shumë mirë.”, kanë thënë ndër të tjera dy motrat.

leave a reply